Sulm me Armë në Krakov: Makina Ndalon në Kryqëzim, Agresori Hap Zjarr ndaj Kalimtarëve

Pamje tronditëse nga një sulm i armatosur në Krakov të Polonisë kanë fiksuar çastin kur një 25-vjeçar polak hap zjarr pa dallim ndaj kalimtarëve, duke shkaktuar panik dhe kaos të menjëhershëm në rrugët e qytetit.

Regjistrimi i siguruar nga kamerat e vëzhgimit tregon automjetin e agresorit teksa ndalon në mes të një kryqëzimi. Pak sekonda më pas, 25-vjeçari nxjerr armën nga dritarja dhe qëllon në drejtim të njerëzve që ndodheshin aty pranë.

Të shtënat shkaktuan një panik të përgjithshëm. Kalimtarët u larguan me vrap në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, duke kërkuar strehë, ndërsa disa prej tyre ranë përtokë nga tmerri ose nga shtyrjet.

Këto pamje, tejet dramatike, shfaqin sekondat kur një rrugë e zakonshme shndërrohet në skenë dhune, ndërsa kalimtarët bëjnë çmos të largohen nga zona e rrezikut. Videoja e fiksuar nga kamerat e sigurisë është duke u shpërndarë gjerësisht, duke shërbyer si dëshmi kyçe e momentit të sulmit.