Kosova intensifikon përgatitjet për finalen ndaj Turqisë, theksi te taktika
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore, si pjesë e përgatitjeve për finalen e madhe të fazës “play-off”, për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026, ku përballë do të jetë Turqia.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, “Dardanët” kanë punuar me intensitet të lartë, duke vënë theks të veçantë te aspektet taktike të lojës, të cilat pritet të jenë thelbësore në këtë përballje vendimtare. Stafi teknik po përgatit ekipin me kujdes maksimal në çdo detaj, ndërsa futbollistët po shfaqin përkushtim të plotë në fushë.
Atmosfera në kampin e Kosovës vijon të jetë tepër pozitive dhe motivuese, duke reflektuar besimin e lartë të skuadrës përpara një ndeshjeje me rëndësi historike.
Kombëtarja do ta zhvillojë stërvitjen e fundit nesër, duke filluar nga ora 11:00. Përpara saj, në orën 10:30, do të mbahet konferenca për shtyp, ku pritet të bëhen të ditura detajet e fundit përpara sfidës.
Tashmë, e gjithë vëmendja është përqendruar te ndeshja kundër Turqisë, me Kosovën që synon të shkruajë histori duke siguruar një vend në Kampionatin Botëror.
