Barcelona merr vendim për Rashfordin: E ardhmja në dyshim

E ardhmja e Marcus Rashford te FC Barcelona nuk konsiderohet e sigurt. Sipas raporteve të fundit, sulmuesi anglez nuk përfshihet në planet afatgjata të klubit katalan, i cili po kërkon me ngulm alternativa të tjera për linjën e sulmit.

Barcelona nuk ka ndërmend ta mbajë Rashfordin përtej këtij sezoni, përveç nëse dështon të transferojë një sulmues të ri që do të shihej si pasardhësi ideal i Robert Lewandowskit.

Brenda klubit katalan, drejtoria sportive beson se Anthony Gordon është një profil më i përshtatshëm për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick. Intensiteti i tij në presing dhe kontributi në fazën mbrojtëse vlerësohen si elemente që përputhen më mirë me stilin e lojës që Flick dëshiron të zbatojë te Barcelona.

Ndërkohë, Rashford mbetet një emër me vlerë në tregun e transferimeve, por duket se qëndrimi i tij në “Camp Nou” do të jetë vetëm i përkohshëm, nëse katalanët arrijnë të sigurojnë lojtarët kryesorë që kanë në listën e dëshirave gjatë merkatos së verës.