Anis Mehmeti: Krenari e madhe të jem pjesë e Kombëtares, pavarësisht se nuk u aktivizova ndaj Polonisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit, pas eliminimit nga faza e play-off-it për Kupën e Botës si pasojë e humbjes 2-1 në Varshavë ndaj Polonisë, do të zhvillojë të martën, më 31 mars, një ndeshje miqësore në Valencia kundër Ukrainës.

Në prag të këtij takimi, është shprehur sulmuesi Anis Mehmeti, i cili nuk u aktivizua asnjë minutë në ndeshjen ndaj polakëve.

“Jemi natyrisht të mërzitur, pasi bëmë një paraqitje shumë të mirë kundër Polonisë dhe krijuam disa raste të pastra për gol,” ka deklaruar Mehmeti. “Ndeshja kundër Ukrainës, edhe pse miqësore, është shumë e rëndësishme për Kombëtaren dhe ne do të japim maksimumin për të fituar. Ukraina është një skuadër shumë e fortë dhe premtoj se, nëse do të më jepet mundësia, do të jap gjithçka në çdo moment.”

Mehmeti shtoi se “Të qenit pjesë e grumbullimit të Kombëtares është një krenari shumë e madhe për mua dhe familjen time. Është e qartë që ndjejmë ende keqardhje për rezultatin e fundit, por po punojmë shumë për të zhvilluar një ndeshje dinjitoze ndaj Ukrainës. Siç e theksova, megjithëse është një miqësore, dëshirojmë të tregojmë vlerat tona dhe të sigurojmë një rezultat pozitiv.”

(Indeksonline)