Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot një takim me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha. Ky takim u fokusua në rrugëtimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës, si dhe në thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Sipas komunikatës për media të Presidencës, Haxhiu uroi ministrin Hoxha për detyrën e re, duke vlerësuar lart përvojën e tij të gjatë diplomatike dhe kontributin në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare. Ajo theksoi se Hoxha ka qenë “zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”.

Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimin në politikën e jashtme, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes Haxhiu theksoi se afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë përbën një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën që Kosova dhe Shqipëria të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.