Sipërmarrësi Mikhail Kokorich ka sqaruar në një intervistë për median italiane Corriere della Sera rolin e tij në zhvillimet ushtarake dhe teknologjike që po ndikojnë luftën në Ukrainë. I lindur në Siberi (pranë Mongolisë dhe Kinës) dhe sot i shkëputur nga shtetësia ruse (ndaj tij ka një urdhër arresti) por është një nga të paktët që mund të ndikojë në luftën mes Moskës dhe Kievit.

Kokorich paraqitet si një figurë kontroverse që pretendon se teknologjitë e kompanisë së tij po ndryshojnë mënyrën se si zhvillohet konflikti mes Moskës dhe Kievit. Ai studiuar fizikë dhe ka një master në Stanford.

Në intervistë, ai shpjegon vizionin e tij për “luftën moderne”, koston e armëve dhe ndryshimin e ekuilibrave në industrinë e mbrojtjes në Evropë.

“Nuk është një përplasje mes kombeve”, thotë ai, “por mes vlerave”. Kokorich ka projektuar dhe ka nisur prodhimin e një pjese të madhe të armëve që i lejojnë Ukrainës të mbrohet dhe të godasë në territorin rus. Ai është në kufirin e një revolucioni teknologjik që synon të transformojë vetë luftën. Ai po zbaton mësimet që ka marrë duke punuar pranë Elon Musk.

A është lufta në Ukrainë ajo që ka gjeneruar valën aktuale të “unicorn”-ëve evropianë si kompania juaj, Destinus, grupe me mbi një miliard euro vlerë?

“Një ‘unicorn’ përfaqëson një vlerësim financiar; në fushën e mbrojtjes, prova e vërtetë është aftësia për të vazhduar prodhimin — në vëllime të mëdha, me kosto të qëndrueshme — kur një konflikt zgjat. Dhe lloji i prodhimit bën diferencën. Grupet e mëdha historike shkëlqejnë në platforma shumë të sofistikuara dhe të certifikuara. Megjithatë, lufta ka nxjerrë në pah nevojën për të ndërtuar sisteme të thjeshta dhe të lira: jo në dhjetëra njësi, por në dhjetëra mijëra. Dhe këtu hyjmë ne. Por nuk jemi përballë një përplasjeje mes realiteteve të reja dhe gjigantëve tradicionalë, jemi mes dy aftësive të ndryshme që i duhen Evropës”.

A është e vërtetë që raketat tuaja kushtojnë sa një e dhjeta e atyre Tomahawk-ëve amerikanë ose Taurus-ve gjermane?

“Pak a shumë po, dhe shifra e saktë ka më pak rëndësi se kuptimi i saj. Një parandalim i vërtetë nuk bazohet në disa qindra sisteme jashtëzakonisht të sofistikuara, por në dhjetëra mijëra mjete efektive. Me 3 ose 4 milionë euro për njësi, asnjë buxhet publik nuk do të mund të përballonte blerjen masive të tyre”.

Dhe është e vërtetë që ju në Destinus prodhoni raketa për Ukrainën dhjetë herë më shpejt se grupet e mëdha tradicionale?

“Ne prodhojmë rreth 200 në muaj. I gjithë prodhimi evropian i sistemeve me rreze të gjatë të së njëjtës kategori arrin një shifër të ngjashme në një vit”.

A merrni feedback nga ukrainasit që luftojnë?

“Kjo është arsyeja pse sistemet evoluojnë kaq shpejt”.

Pra ju po trondisni një sektor me kosto të lartë, dhe taksapaguesit evropianë mund të shpenzojnë shumë më pak për të marrë kapacitete mbrojtëse?

“Çështja nuk ka të bëjë aq me tronditjen e një sektori, sa me rritjen e përfitimit që merr taksapaguesi për çdo euro të shpenzuar. Por kjo nuk ndodh sepse industria tradicionale është joefikase ose e shtrenjtë. Sistemet e saj janë të dizajnuara për një kërcënim tjetër, në një epokë kur mjaftonin pak armë precize. Sot kërcënimi ka ndryshuar. Nevojiten të dyja llojet e sistemeve”.

Si e ndryshon kjo qasje luftën?

“Ndryshon gjeometrinë e fushëbetejës. Për një shekull, vija e frontit është përcaktuar nga rrezja e artilerisë, disa dhjetëra kilometra. Sot ajo po zgjerohet në mënyrë dramatike.”

Evropa nuk ka përjetuar një konflikt prej brezash. A mund të shfrytëzojë Moska aftësitë e fituara në Ukrainë kundër një vendi evropian?

“Askush nuk e di. Rusët kanë kaluar tre ose katër vjet të zhytur në një luftë moderne, duke mësuar dinamikat e saj në shkallë industriale. Në Evropë, ndërkohë, suksesi ynë na ekspozon: jemi një qytetërim i hapur, i lidhur ngushtë, i bazuar në ‘just-in-time’ (në kohë), që mbështetet në rrjete energjie, logjistike dhe të dhënash që nuk janë ndërtuar kurrë për të përballuar sulme. Një shoqëri në luftë forcohet; një shoqëri e begatë dhe paqësore është e brishtë, dhe një sulm ndaj këtyre dobësive do të ishte shkatërrues. Prandaj nuk mund ta bazosh sigurinë tënde te qëllimet e Rusisë; duhet të ndërtosh një kapacitet që e bën çdo përpjekje agresioni të papërballueshme”.

Ju jeni rritur në Rusi. Tani prodhoni armë që godasin Rusinë. Pse?

“Po, kam lindur në Rusi. Por kam parë edhe se si vendi është zhytur në autoritarizëm dhe agresion. I kuptoj ambiciet dhe metodat e shtetit rus më mirë se shumë njerëz në Evropën Perëndimore. Megjithatë, nuk e konsideroj këtë një luftë personale. Rusia nuk është më vendi im: nuk jam më qytetar i saj. Kjo nuk është një luftë mes kombësive; është një përplasje mes sistemeve politike. E kam kundërshtuar Vladimir Putin-in që në fillim dhe e kam lënë Rusinë shumë kohë më parë. Mendoj për italianët që luftuan kundër Mussolinit, kundër bashkatdhetarëve të tyre. Ndjej diçka të ngjashme. Nuk jam kundër popullit rus: Rusia është pjesë kulturore e Evropës. Tragjedia është se një regjim e ka shtyrë Rusinë jashtë atij rrugëtimi. Ta mposhtësh atë nuk është një akt kundër Rusisë, por në interes të saj”.

Shkrim nga Corriere della Sera