**Muharremi: Turp për politikanët që shfrytëzojnë fëmijët për propagandë**

Analisti politik, Shenoll Muharremi, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të fëmijëve në fushatat zgjedhore, duke e cilësuar këtë si një veprim të ulët moral dhe politik.

Ai ka theksuar se “Vajzën e tij e ka çuar larg tymit toksik që thithin çdo ditë fëmijët tanë në Kosovë, ndërkohë që ai vetë, për gjashtë vjet në pushtet, nuk bëri asgjë serioze për të përmirësuar situatën, madje ndaloi edhe projektet e tjera të energjisë që do ta kishin përmirësuar gjendjen.”

Muharremi ka vijuar duke deklaruar se “Fëmijën e tij e ka çuar larg, shumë larg shkollave publike, të cilat i ka keqmenaxhuar për gjashtë vjet. Larg edhe spitaleve publike, që në disa raste i ka lënë pa barna, madje edhe për pacientët me kancer.”

Ai theksoi më tej: “Vajzën e tij e ka siguruar dhe rehatuar me të gjitha të mirat. Po fëmijët e Kosovës? Pa asnjë fije turpi, ai i keqpërdor në fushatë zgjedhore për një grusht vota.”

Sipas Muharremit, “Ky është një veprim i ulët politik, dhe gjithashtu një dështim moral e njerëzor që tregon sa larg mund të shkojë etja për pushtet.”

Përfundimisht, Muharremi shkruan: “Turp për çdo politikan që i shfrytëzon fëmijët për propagandë! Sidomos për një kandidat për kryeministër, të cilit ky vend i ka dhënë gjithçka, ndërsa ai mendon vetëm për votën e radhës dhe abuzon me çdo gjë që i del përpara.”

Në fund të reagimit të tij, Muharremi ka bërë thirrje: “Më 7 qershor, ndëshkojini masivisht me votë.”