Ardian Gjini zotohet: Heqje e taksës për tokën bujqësore dhe familjet prodhuese
Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, ka shpalosur një ndër zotimet kryesore të programit të tij zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për sektorin e bujqësisë dhe prodhuesit vendorë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjini deklaroi se, nëse Aleanca vjen në qeverisje, asnjë parcelë toke e kultivuar dhe asnjë familje që prodhon ushqim për tregun dhe konsumatorët e Kosovës nuk do të ngarkohet më me taksa.
“Duke hequr këtë obligim, ne u japim mbështetje direkte prodhuesve tanë”, citohet të ketë thënë Gjini, duke e përshkruar këtë masë si thelbësore për kthimin e bujqësisë në një shtytës të vërtetë të zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjini theksoi se fuqizimi i prodhuesve vendorë dhe lehtësimi i barrës fiskale për familjet bujqësore do të jenë ndër shtyllat kryesore të programit qeverisës të Aleancës.
