Rumania ka konfirmuar zyrtarisht se një ndërtesë banimi në qytetin e Galațit u godit nga një dron rus i tipit Geran-2, gjatë natës së 29 majit.

Konfirmimi vjen nga një raport teknik përfundimtar i specialistëve rumunë, siç u citua nga presidenti rumun Nicușor Dan. Ekspertët arritën në këtë përfundim bazuar në një sërë provash teknike.

Presidenti Dan deklaroi se hetuesit zbuluan fragmente që mbanin mbishkrimin “ГЕРАН-2” në cirilik. Më tej, komponentët elektronikë, sistemet e navigimit, modulet e kontrollit, motori dhe elementët strukturorë të dronit u konstatuan si identikë ose pothuajse identikë me ata të gjetur më parë te dronë të tjerë të të njëjtit tip. Analiza vërtetoi gjithashtu përputhshmërinë e shenjave të prodhimit, materialeve dhe karakteristikave të karburantit.

“Fakti që një fluturake e tillë goditi një ndërtesë banimi në Rumani, duke shkaktuar lëndime dhe dëme materiale, është një çështje jashtëzakonisht serioze dhe Rusia është përgjegjëse e vetme për të,” tha Dan. Ai shtoi se rezultatet e hetimit do të ndahen me aleatët e Rumanisë dhe me strukturat përkatëse të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Si pasojë e incidentit, një djalë 14-vjeçar dhe një grua pësuan lëndime. Në reagim ndaj kësaj ngjarjeje, disa avionë luftarakë të NATO-s u ngritën në fluturim mbi zonën e Galațit. Më pas, Presidenti Dan njoftoi mbylljen e konsullatës ruse në Konstancë dhe shpalli konsullin rus “persona non grata”.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina do të mbështesë Rumaninë pas sulmit me dron dhe do të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes së saj ajrore. /Telegrafi