**KQZ emëron mbi 2,200 anëtarë për numërimin e votave në 38 Qendra Komunale**
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për emërimin e ekipeve të numërimit të votave në 38 Qendra Komunale të Numërimit, raporton Ekonomia Online. Ky proces do të angazhojë mbi 2,200 anëtarë.
Sipas vendimit të KQZ-së, gjithsej 2,213 anëtarë do të jenë pjesë e 508 ekipeve të numërimit. Këta anëtarë përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Detyra e këtyre ekipeve do të jetë verifikimi i rezultateve të subjekteve politike, të evidentuara në formularët pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, konfirmoi se subjektet politike kanë nominuar mbi 2 mijë anëtarë për këtë proces.
Krasniqi sqaroi se emërimi bazohet në nominimet e dërguara nga partitë politike, në përputhje me formulën e miratuar më parë nga KQZ-ja për ekipet e numërimit. Ai theksoi se numri i përgjithshëm i të emëruarve është 2,213 anëtarë, të shpërndarë në 508 ekipe në 38 Qendra Komunale të Numërimit, për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.
Më tej, Krasniqi bëri thirrje që subjektet politike të mos nominojnë persona që kanë qenë të përfshirë në parregullsi gjatë zgjedhjeve të kaluara.
Ai shtoi se KQZ-ja ka kërkuar nga partitë politike që të jenë të kujdesshme me nominimet, duke theksuar se përgjegjësia për përbërjen e listave u mbetet plotësisht subjekteve politike, nëse ato kanë dërguar individë me të kaluar problematike. “Ne si anëtarë të KQZ-së, si dhe sekretariati, jemi angazhuar maksimalisht për të shmangur përfshirjen e tyre, por përgjegjësia finale u mbetet subjekteve politike mbi përbërjen e listës së këtyre trupave që do të merren me procesin e numërimit të votave,” përfundoi Krasniqi.
