**Taksë rrugore në qendër të Prishtinës: Komuna sqaron se tarifa 10 euro nuk vlen për të gjithë automjetet**

Komuna e Prishtinës po shqyrton propozimin për vendosjen e një takse rrugore prej 10 eurosh për automjetet që hyjnë në zonën qendër të kryeqytetit, siç raporton Ekonomia Online. Megjithatë, siç sqaron drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion, Luftar Braha, kjo taksë nuk do të zbatohet për të gjithë qytetin, por vetëm për zonën “Qendër”.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Braha theksoi se qëllimi i kësaj takse është rregullimi i qarkullimit në një zonë të caktuar të Prishtinës, përkatësisht zonën e unazës së brendshme, ku ngarkesa në trafik është jashtëzakonisht e madhe. Ai shpjegoi se me reformat e ndërmarra në transportin publik urban, përfshirë dedikimin e shiritave të veçantë për autobusët – të cilët transportojnë nga 80 mijë deri në 120 mijë udhëtarë në ditë – heqja e një shiriti në secilin drejtim do të rrisë ndjeshëm ngarkesën për automjetet e tjera. Kjo, sipas tij, do të krijojë frustrim, prandaj synohet që zona “Qendër” të përdoret më pak nga automjetet private.

Braha sqaroi se tarifa prej 10 eurosh nuk do të aplikohet për të gjitha automjetet, por do të jetë e vlefshme për kamionët e rëndë dhe autobusët e vjetër që nuk plotësojnë kriteret mjedisore. Ai shtoi se do të ketë kategorizime të tjera, ku për shembull, automjetet elektrike mund të lirohen nga kjo taksë. Kjo çështje, sipas Brahes, është pjesë e dëgjimit publik dhe e argumentimit, dhe do të jetë e hapur për konsultime deri më 24 qershor. Komuna pret komentet dhe argumentet e qytetarëve për finalizimin e dokumentit, i cili pritet të miratohet nga Asambleja në korrik.

Drejtori Braha shpjegoi gjithashtu se kush do të jetë subjekt i taksës. “Për shembull, nëse një qytetar nga Peja shkon te parkingu mbrapa ‘Pallatit të Rinisë’ dhe arrin aty nga ura e madhe, nga rruga e hekurudhës, nuk do të ketë nevojë të paguajë fare. Por, nëse dëshiron të hyjë thellë në qendër, te kafenetë e vogla, me automjet, atëherë do t’i duhet të paguajë. Kjo është pjesë e elementit të ngarkesës që krijohet në rrugët e qendrës, pasi kapaciteti i tyre është i kufizuar,” tha ai.

Braha theksoi se Prishtina numëron rreth 140 mijë automjete që hyjnë në qytet brenda ditës, ndërsa në zonën “Qendër” ka një numër jashtëzakonisht të madh. Ai përmendi se në rrugën “Ramiz Sadiku” kalojnë rreth 40 autobusë lokalë në orë, që do të thotë pothuajse çdo minutë. “Pra, shërbimi i transportit publik urban është i garantuar dhe njerëzit kanë alternativa për të arritur në vendet e punës. Ne nuk po ndalojmë lëvizjen e lirë, por nëse dikush dëshiron patjetër të hyjë me automjet deri te kafja apo institucioni, atëherë do të taksohet, sepse po krijon një ngarkesë për të gjithë qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Prishtinë,” shpjegoi drejtori.

I pyetur për kritikat rreth këtij propozimi, ai tha se ato po mblidhen në një bazë të dhënash dhe do të shqyrtohen. “Ne jemi në dëgjim publik, i hapur për kritika, të cilat duhet të shoqërohen me argumente në mënyrë që të mund të vlerësohen. Po krijojmë një bazë të dhënash me kritikat që mblidhen zyrtarisht, si dhe nga rrjetet sociale, ku ndonjëherë edhe debatojmë me qytetarët,” shpjegoi Braha.

Mjetet e mbledhura nga kjo taksë do t’i dedikohen projekteve të Komunës së Prishtinës. “Këto taksa do të shkojnë direkt për investime në komunën e Prishtinës, siç janë ndërtimi i unazës së jashtme, e cila rregullon qarkullimin e qytetarëve brenda qytetit, si dhe përmirësimi i transportit publik urban. Qëllimi është t’u krijohen qytetarëve alternativa lëvizjeje, një flotë moderne dhe shirita të dedikuar komunikacioni, ku autobusët do të kenë prioritet. Sot, 120 mijë udhëtarë përdorin autobusët lokalë. Pse duhet të vuajnë 120 mijë udhëtarë për shkak të automjeteve private, kur me këtë taksë dhe investime të tjera mund të rrisim flotën, numrin e autobusëve, frekuencën dhe numrin e udhëtarëve, duke modernizuar transportin dhe duke ofruar komoditet maksimal,” shtoi ai.

Braha theksoi se çështja e taksës prej 10 eurosh është ende në dëgjim publik dhe nuk është përcaktuar, duke shtuar se mund të jetë edhe më e ulët. “Për sa kohë është në dëgjim publik, gjithçka është e ndryshueshme. Taksa prej 10 eurosh nuk është e fiksuar. Kryetari e ka thënë disa herë publikisht se taksa mund të jetë 1 ose 2 euro, përveç nëse vendoset të ndërtohet unaza e jashtme brenda një viti, gjë që nuk është planifikuar. Pra, mundësia ekziston që taksa të jetë shumë më e ulët, brenda normave të deklaruara më parë nga kryetari. Megjithatë, do të ketë një taksë jashtëzakonisht të lartë për automjetet shumë të vjetra që nuk përmbushin kriteret mjedisore dhe standardet evropiane,” përfundoi Braha.