Njomza Shaqiri Dorëhiqet nga Aleanca për Shqiptarët

Njomza Shaqiri, anëtare e Kuvendit dhe e Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët (ASH), ka njoftuar sot largimin e saj përfundimtar nga të gjitha funksionet dhe aktivitetet brenda kësaj partie. Arsyeja e cituar nga Shaqiri, me prejardhje nga Gostivari, është “fraksionimi kronik” që, sipas saj, ka përfshirë partinë.

Në një postim të plotë në rrjetet sociale, Njomza Shaqiri ka shkruar:

“Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Aleancës për Shqiptarët,

Pas 11 viteve të angazhimit të pandalur dhe me sakrifica të shumta, si dhe me një dedikim të sinqertë në çdo betejë politike, ju njoftoj se nga sot ndërpres çdo aktivitet dhe funksion brenda strukturave të Aleancës për Shqiptarët.

Ky largim vjen si pasojë e nevojës për të mbrojtur parimet e mia njerëzore dhe politike. Ajo që duhej të ishte një Aleancë e unitetit, sot është zhytur në një fraksionim kronik.

Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin e sinqertë ndër vite!”