Televizioni publik i Serbisë (RTS) ka kërkuar falje për mangësitë në raportimin e periudhës së kaluar, por studentët fitues të zgjedhjeve në Serbi e kanë refuzuar këtë, duke kërkuar dorëheqje.

“Ne nuk e pranojmë kërkimfaljen. Pranojmë vetëm dorëheqjet”, kanë deklaruar studentët në rrjetet sociale.

Kërkimfalja u lexua në edicionin qendror të lajmeve, pas ndryshimeve në udhëheqjen editoriale të RTS-së, ka raportuar Nexsmax Balkans, transmeton Gazeta Express.

Televizioni publik serb e cilësoi atë si hapin e parë drejt rikthimit të besimit të publikut.

Drejtoresha e përgjithshme, Manja Grçiq, kishte dhënë dorëheqje, ndërsa para largimit e kishte shkarkuar kryeredaktoren e programit informativ, Bojana Mllagjenoviq. Ndryshimet përfshinë edhe disa redaktorë të tjerë.

Studentët kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTS-së, Dejan Jovanoviq, duke këmbëngulur që qytetarët serbë të kenë qasje në informim të saktë.