Kandidati për deputet nga Aleanca, Avni Arifi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, “premtime të përsëritura elektorale” lidhur me Stadiumin e Gjilanit dhe Autostradën e Gjilanit, projekte që sipas tij kanë mbetur të parealizuara për gjashtë vjet.
Arifi tha se Stadiumi i Gjilanit po premtohet sërish nga Kurti, ndonëse sipas tij, nuk është bërë asnjë hap konkret gjatë mandatit qeverisës.
“Stadiumin e premtoi prapë mbrëmë. Nuk e bën, ashtu siç nuk e ka bërë për gjashtë vjet në pushtet”, ka deklaruar Arifi.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë ndaj Autostradës së Gjilanit, duke thënë se projekti ishte nisur gjatë qeverisjes së Aleancës dhe kishte arritur afro 70 për qind të realizimit të punimeve.
“Sikurse me stadiumin, edhe me autostradën. I prishi kontratat, i ndali punimet dhe për gjashtë vjet e la në vendnumëro një projekt që Aleanca e kishte nisur dhe kishte përfunduar gati 70% të punimeve”, u shpreh ai.
Arifi theksoi se Autostrada e Gjilanit është projekt i nisur në kohën e Aleancës dhe sipas tij, vetëm Aleanca mund ta përfundojë atë.
“Autostrada e Gjilanit është nisur në kohën e Aleancës. Aleanca e ka nisur, Aleanca mundet me e përfundu. Jo Albin Kurti”, përfundoi kandidati për deputet nga Aleanca, Avni Arifi.
