Një ish-pjesëtar i inteligjencës amerikane ka bërë pretendime të pazakonta, duke thënë se disa baza aliene të fshehura ndodhen në zona të largëta malore të Tokës.
Lyn Buchanan, veteran i pensionuar i inteligjencës ushtarake dhe pjesëmarrës në programe të dikurshme sekrete të CIA-s për “shikim në distancë”, foli në podcastin “American Alchemy”, ku pretendoi se këto instalime funksionojnë si qendra mbledhjeje informacioni, pika hyrjeje për jashtëtokësorë dhe vende riparimi për objekte fluturuese të paidentifikuara.
Sipas Buchanan, bazat ishin identifikuar fillimisht në vitin 1973 nga Pat Price, një ish-polic që u bë një nga pjesëmarrësit e parë në programet amerikane të kërkimeve psikike gjatë Luftës së Ftohtë. Më vonë, këto pretendime u rishqyrtuan në kuadër të “Project 8200”, një nismë që synonte të verifikonte nëse persona të tjerë me aftësi të pretenduara të “shikimit në distancë” do të arrinin në përshkrime të ngjashme.

Buchanan tha se ishte ngarkuar të monitoronte disa vende të dyshuara, përfshirë malin Hayes në Alaskë, malin Zeil në Australi, malin Nyangani në Zimbabve dhe malet Pirene mes Spanjës dhe Francës.
Ai pretendoi se baza në Alaskë shërbente për mbledhje të të dhënave dhe monitorim të aktivitetit në Tokë. Sipas tij, shikues të mëparshëm në distancë kishin raportuar praninë e njerëzve dhe jashtëtokësorëve që punonin së bashku brenda malit. Megjithatë, Buchanan tha se kur ai e kishte vëzhguar më vonë këtë vend, pajisjet ishin automatizuar dhe nuk kishte më nevojë për personel.
Për malin Zeil në Territorin Verior të Australisë, ai dha një përshkrim tjetër. Sipas Buchanan, ky vend shërbente si një lloj “porte hyrëse” për vizitorë jashtëtokësorë, ku mjetet mbërrinin, udhëtarët zbrisnin dhe ekipet teknike merreshin me mirëmbajtjen e tyre. Ai pretendoi se instalimi kishte disa nivele, përfshirë një zonë ankorimi dhe një pjesë të poshtme për riparime.


Një nga pretendimet më të çuditshme të tij lidhet me një seancë të “shikimit në distancë”, gjatë së cilës, sipas Buchanan, banorët e supozuar të bazës australiane e kishin kuptuar se po vëzhgoheshin. Ai tha se fillimisht i ishte bërë e qartë se ata “e dinin që ishte aty” dhe se kjo ishte në rregull.
Vendndodhja e tretë, mali Nyangani në Zimbabve, u përshkrua prej tij si një qendër riparimi për UFO. Buchanan pretendoi gjithashtu se zona ishte shumë e ruajtur dhe spekuloi se personat që mund të shihnin gjëra të ndaluara rrezikonin të zhdukeshin.
Sa i përket vendndodhjes së katërt, në malet Pirene mes Spanjës dhe Francës, Buchanan pranoi se nuk e kishte hetuar vetë atë zonë dhe se nuk ishte i sigurt për detajet.
Megjithatë, pavarësisht natyrës së jashtëzakonshme të këtyre pretendimeve, nuk ka prova publike që këto baza ekzistojnë dhe deklaratat e Buchanan nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.


Seancat e “shikimit në distancë” ishin pjesë e programit sekret “STARGATE” të CIA-s, i cili gjatë Luftës së Ftohtë rekrutoi njerëz që besohej se kishin aftësi psikike për qëllime ushtarake dhe të inteligjencës. Programi nisi në fillim të viteve ’70 dhe u mbyll zyrtarisht në vitin 1995, pasi u vlerësua si shkencërisht jo i besueshëm dhe jo efektiv për mbledhjen e informacionit.
Buchanan këmbëngul se disa shikues në distancë, të cilët punonin pa e ditur paraprakisht objektivin, dhanë përshkrime të ngjashme për këto vende. Sipas tij, skicat që ai realizoi gjatë seancave përputheshin me ato të Pat Price-it vite më parë, gjë që ai e sheh si konfirmim të pretendimeve. Megjithatë, për momentin, këto mbeten deklarata të pakonfirmuara dhe jo fakte të provuara. /GazetaExpress/
