Protestat në Shqipëri kundër projekteve turistike ku përfshihet edhe Jared Kushner kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar drejtpërdrejt, duke i referuar pyetjet kompanisë së Kushnerit.
Që nga java e kaluar, protestat janë intensifikuar në Shqipëri kundër ndërtimit të një kompleksi turistik në zonën Pishë Poro-Nartë dhe ishullin e Sazanit. Pakënaqësia vjen nga planet e Jared Kushner, dhëndrit të ish-Presidentit amerikan Donald Trump, për të zhvilluar prona luksoze në zona bregdetare ekologjikisht të ndjeshme. Siç raporton “New York Times”, ky projekt ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të përfshirjes së Kushnerit.
Protestat, të shtrira nga kryeqyteti në qytetet bregdetare, janë shndërruar në një simbol të pakënaqësisë më të gjerë ndaj qeverisë, në një vend që historikisht ka qenë ndër më të varfrit në Evropë. Planet, të cilat përfshijnë një kompleks hotelesh luksoze me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në një gadishull me ligatina të ndjeshme ekologjike, kanë ngjallur prej kohësh shqetësime për mbrojtjen mjedisore dhe transparencën e procesit.
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vazhdimisht këto projekte, duke i konsideruar si një mundësi thelbësore për zhvillimin e ekonomisë turistike dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ai ka theksuar se këto investime synojnë të krijojnë “destinacionin më tërheqës në këtë anë të Mesdheut”. Rama ka hedhur poshtë pretendimet se Jared Kushner ka përfituar trajtim preferencial për shkak të lidhjes së tij familjare me ish-Presidentin Trump.
Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë koment, duke i referuar pyetjet firmës investuese të Kushnerit, Affinity Partners. Kjo e fundit, e mbështetur kryesisht nga financime të qeverisë së Arabisë Saudite, i ka drejtuar pyetjet tek Sazan Real Estate Development LLC, kompania zhvilluese e projekteve. Asher Abehsera, drejtori i kësaj kompanie, deklaroi se janë “entuziazmuar për mundësinë e krijimit të një destinacioni të klasit botëror dhe realizimin e një prej investimeve private më të mëdha në historinë e rajonit”, duke shtuar se fokusi i tyre përfshin edhe “menaxhimin e përgjegjshëm” ndaj mjedisit.
Megjithatë, jo të gjithë i mirëpresin këto zhvillime. Zemërimi i publikut është shtuar edhe pas komenteve të Ivanka Trump, bashkëshortes së Jared Kushner, e cila e kishte përshkruar Sazanin si një “ishull privat” që ata “e zbuluan” gjatë një vizite. Kjo deklaratë, e raportuar nga Al Jazeera, ka nxitur dyshime për trajtim preferencial dhe mungesë transparence.
Përveç “New York Times” dhe Al Jazeera, protestat në Shqipëri janë pasqyruar gjerësisht edhe nga media të tjera ndërkombëtare si Reuters, Euronews, France 24, The Times of Israel dhe Politico.
