**GAP dhe KLGI kundërshtojnë tarifat e reja komunale në Prishtinë, kërkojnë konsultim të veçantë publik**
Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) kanë bërë thirrje për tërheqjen e dispozitave diskriminuese dhe për zhvillimin e një konsultimi publik të veçantë lidhur me draft-Rregulloren e re të Komunës së Prishtinës për taksat, tarifat dhe gjobat komunale.
Në një deklaratë të përbashkët, dy institutet theksojnë shqetësimin e tyre lidhur me “Draft Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale”, e cila aktualisht është në fazën e konsultimit publik.
Sipas tyre, përmbajtja e disa dispozitave të këtij drafti rrezikon të shkelë parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë në trajtimin e qytetarëve, bizneseve dhe kategorive të ndryshme. Drafti parashikon vendosjen e tarifave komunale për aktivitete ekonomike pa një metodologji të qartë për llogaritjen e tyre apo analizë të ndikimit ekonomik. Gjithashtu, propozohet një taksë prej 10 eurosh për hyrjen në territorin e kryeqytetit, e cila do të aplikohet vetëm për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës. Këto masa krijojnë trajtim të pabarabartë midis kategorive të ndryshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar cenimin e parimit të mosdiskriminimit.
Institutet theksojnë se Komuna e Prishtinës është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton një grant shtesë vjetor prej rreth 20 milionë eurosh nga buxheti shtetëror, për shkak të statusit të saj si kryeqytet. Kjo mbështetje financiare synon të adresojë barrën e shtuar administrative dhe funksionale të kryeqytetit, por edhe të krijojë kushte më të mira për zhvillim dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Pikërisht për këtë arsye, politikat komunale, sidomos ato që ndikojnë drejtpërdrejt te bizneset, qytetarët dhe shërbimet, duhet të udhëhiqen nga parimi i mosdiskriminimit dhe nga një qasje gjithëpërfshirëse, e cila nuk duhet të prodhojë efekte përjashtuese dhe as të krijojë barrë të pabarabartë për kategori të caktuara.
Institutet i bëjnë thirrje Komunës së Prishtinës që:
* Të heqë dorë nga dispozitat dhe praktikat që çojnë drejt trajtimit diskriminues ose përjashtues, qoftë përmes kategorizimeve të paarsyetuara, qasjeve selektive ndaj bizneseve të caktuara, apo vendosjes së barrës fiskale pa kritere të qarta dhe vlerësim paraprak.
* T’i nënshtrojë Rregulloren e re një procesi konsultimi publik të veçantë dhe të strukturuar sipas grupeve dhe palëve të prekura, në mënyrë që procesi të jetë kuptimplotë, transparent dhe i drejtë. Një dokument me ndikim kaq të gjerë, që prek shumë sektorë ekonomikë dhe kategori të ndryshme, nuk mund të trajtohet me një konsultim të përgjithshëm formal, pa diskutim të drejtpërdrejtë me palët e interesit.
* Të sigurojë arsyetim të qartë dhe analizë të ndikimit për ndryshimet e propozuara, përfshirë kriteret e përzgjedhjes së kategorive, nivelin e tarifave, si dhe efektet e mundshme në konkurrencë, punësim dhe klimë biznesi në kryeqytet.
Institutet vlerësojnë se rregulloret komunale duhet të nxisin përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke garantuar trajtim të barabartë për qytetarët dhe bizneset. Prandaj, Komuna e Prishtinës duhet ta zhvillojë këtë proces përmes konsultimeve reale dhe bazuar në rregulla të drejta, në frymën e qeverisjes së hapur që i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve.
