**Palatova konfirmon ardhjen e Presidentit Costa në Prishtinë: Zgjerimi i BE-së real, Kosova ka nevojë për institucione funksionale**

Prishtinë – Shefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, njoftoi sot për ardhjen në Prishtinë të Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Ardhja e Presidentit Costa në Prishtinë vjen në prag të takimeve të tij me përfaqësues institucionalë e politikë të Kosovës, si dhe para Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më vonë këtë javë.

Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Palatova theksoi rëndësinë e kësaj vizite dhe mesazhet kyçe. Ajo shkroi: “Është nder të mirëpresim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Prishtinë sot, përpara takimeve të tij me përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të Kosovës dhe Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më vonë këtë javë.”

Palatova shtoi më tej se mundësia e zgjerimit të BE-së është reale dhe se Kosova ka nevojë për institucione plotësisht funksionale sa më shpejt të jetë e mundur. “#GrowthPlan #EUbyYourSide”, përmbylli ajo postimin e saj.