Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në Prishtinë presidentin e Këshillit Evropian, António Costa. Takimi u mbajt në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të zhvillohet në Tivat.

Presidentja Haxhiu falënderoi Costan për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Evropian ndaj rajonit. Ajo theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një orientim strategjik, një zgjedhje politike e qytetarëve dhe një interes thelbësor afatgjatë për Republikën e Kosovës.

Haxhiu vuri në dukje se Kosova është ndër shoqëritë më pro-evropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian përfaqëson një komunitet demokracie, sundimi të ligjit, paqeje dhe dinjiteti. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si një vlerë e shtuar për vetë Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua rruga evropiane e Kosovës, nevoja për të avancuar procesin e integrimit, si dhe rëndësia e zbatimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë Plan si një mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, afrim me tregun e përbashkët evropian dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

Presidenti Costa nënvizoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike. Në këtë frymë, Presidentja Haxhiu rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me BE-në. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar angazhim të palëkundur ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Presidenca njoftoi gjithashtu se në takim u trajtuan zhvillimet rajonale, rëndësia e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe nevoja që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.

“Presidentja Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritën, përmbushjen e kritereve dhe progresin e Kosovës,” deklaron Presidenca.