Xhafer Gashi: Çerdhja në Mazgit është mbyllur nga pushteti aktual
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Gashi, ka akuzuar pushtetin aktual për mbylljen e çerdhes në Mazgit të Obiliqit.
Gashi e ka bërë këtë deklaratë përmes një videoje të publikuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ku shfaqet duke vizituar objektin e çerdhes. Ai theksoi se, ndonëse kjo çerdhe ka funksionuar gjatë mandatit të tij si kryetar, ajo tashmë është e mbyllur.
Në videon e tij, Gashi shprehu zhgënjimin dhe bëri thirrje publike, duke thënë: “Një çerdhe shumë e domosdoshme, sidomos për qytetarët e Mazgitit, sepse nënave do t’u krijonim mundësinë që ato të ishin të angazhuara diku tjetër. E hapëm në kohën më të vështirë, siguruam edhe ngrohjen qendrore, por për fat të keq ndërrimi i pushtetit bëri që të thuhej se ‘koha tani është e ftohtë dhe nuk ka mundësi të zhvillohet qëndrimi tërëditor për fëmijët tanë’. Por, tani meqë është një kohë kaq e mirë, pse është mbyllur? Qytetarë, pyetni komunën pse është mbyllur, pse nuk është funksionale!”
Në përshkrimin shoqërues të videos, Gashi theksoi se arsimi dhe infrastruktura kanë qenë gjithnjë prioritet gjatë qeverisjes së tij, duke përmendur “veprat dhe rezultatet si në nivel komunal, ashtu edhe në tërë Republikën”.
Më tej, ai e shfrytëzoi këtë postim për të promovuar fushatën e tij elektorale, duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (113) dhe atë personalisht (31). Gashi argumentoi se ata janë “të dëshmuar për punë e suksese” dhe se do t’i thonë “STOP moszhvillimit, përçarjes dhe propagandës” në Kuvendin e Republikës.
