Sulmuesi i Zvicrës, Breel Embolo, ende është në pritje të miratimit për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, pasi të mërkurën ka marrë pjesë në një takim në Ambasadën Amerikane në Bernë për të dorëzuar aplikimin për vizë, njoftoi Federata Zvicerane e Futbollit.
Embolo humbi nisjen e ekipit drejt Kalifornisë të martën, pasi autorizimi i tij i udhëtimit ESTA iu nënshtrua një shqyrtimi shtesë vetëm pak orë para se kombëtarja të nisej me avion drejt Los Anxhelosit.
“Ambasada na ka informuar se aplikimi po trajtohet me prioritet”, thuhet në deklaratën e federatës të mërkurën.
“Breel dhe ekipi tani janë në pritje të miratimit, në mënyrë që ai të mund të udhëtojë drejt San Diegos dhe t’i bashkohet skuadrës sa më shpejt të jetë e mundur.”
Çështja lidhet me një rast ligjor që buron nga një përplasje e ndodhur në vitin 2018 në Bazel. Sulmuesi i Stade Rennais FC u shpall fajtor në vitin 2023 për disa kërcënime dhe u dënua me një gjobë me kusht, vendim që më vonë u konfirmua edhe pas apelimit.
Federata bëri të ditur se autoritetet amerikane kishin kërkuar dokumentet gjyqësore që lidhen me rastin, pasi mësuan se vendimi ishte bërë përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm më herët gjatë këtij viti.
“Pyetjet e Ambasadës u fokusuan posaçërisht në faktin nëse kishte pasur dhunë fizike. Kjo nuk ishte rasti”, shtoi federata.
Sipas Federatës Zvicerane, të gjitha aplikimet ESTA, përfshirë atë të Embolos, fillimisht ishin miratuar, por autoritetet amerikane kërkuan kontrolle shtesë rreth dy orë e gjysmë para nisjes së ekipit.
“Administrata Trump po zbaton ligjet e emigracionit”, deklaroi Lauren Bis, ndihmëssekretare për Çështje Publike në Departamentin Amerikan të Sigurisë Kombëtare.
“Aplikimet ESTA verifikohen vazhdimisht kundër databazave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit. Udhëtarët duhet të japin informacione të plota dhe të sakta, përfshirë çdo histori kriminale.
Mosdeklarimi i arrestimeve ose dënimeve konsiderohet paraqitje e rreme dhe mund të çojë në refuzimin ose anulimin e ESTA-s, madje edhe në ndalim të përhershëm të hyrjes në Shtetet e Bashkuara. Një ESTA e miratuar nuk garanton hyrjen në vend. Personat që nuk kualifikohen për Programin e Heqjes së Vizave për shkak të dënimeve penale ose paraqitjes së rreme duhet të aplikojnë për vizë.”
Një zëdhënës i përfaqësueses zvicerane tha për Reuters të martën se Embolo kishte udhëtuar më parë në SHBA me kombëtaren në qershor të vitit 2025 për ndeshjet kundër Meksikës dhe SHBA-së, pa hasur në probleme.
Zvicra bën pjesë në Grupin B të Kupës së Botës së bashku me Canada, Bosnia and Herzegovina dhe Qatar. Zviceranët do ta nisin fushatën e tyre më 13 qershor në San Francisko, në ndeshjen kundër Katarit.
