Kandidatja e LDK-së për deputete, Jehona Lushaku, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për gjendjen në sektorin e edukimit të hershëm, duke theksuar se vetëm 6 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në çerdhe publike.
Sipas saj, edhe në vitin 2026 vazhdojnë të ekzistojnë komuna që nuk kanë asnjë çerdhe publike, gjë që e cilësoi si tregues të qartë të dështimit qeverisës në këtë sektor.
“S’kanë mund me i bë 10 çerdhe të kryera nga qeveria Kurti. Me i premtu 160 edhe mos me i pas as dhjetë. I kanë renovu do shkolla, duke u mundu me thanë që janë çerdhe. As nuk i kanë licencuar, as nuk i kanë shti në lista të pagave njerëzit që punojnë aty, as nuk i kanë themelu si institucione” , ka deklaruar Lushaku.
Ajo ka akuzuar qeverinë se investimet janë përqendruar kryesisht në komunat ku qeveris Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ka kundërshtuar arsyetimin se komunat kanë penguar realizimin e projekteve.
“I kanë koncentru vetëm në komunat ku qeverisë VV-ja. Ndërkohë që ankohet se nuk më kanë lënë komunat. Qysh një qeveri me 51 përqind me krejt fuqinë e botës, me krejt buxhetin e botës, po të ndalin komunat. Duhesh me bë Task Forcë dhe me shpall prioritet ndërtimin e çerdheve. Veq 6 % të fëmijëve të Kosovës shkojnë në çerdhe publike. Në vitin 2026 ka komuna që nuk e kanë asnjë çerdhe publike. Kjo është tragjike për qeverisjen”, ka thënë ajo.
Lushaku ka kujtuar gjithashtu premtimet e bëra në zgjedhjet e vitit 2021 për investime kapitale dhe shujta të ngrohta për nxënësit, duke thënë se asnjë nxënës nuk ka përfituar nga ky program deri më sot.
“Mos të flasim për investime kapitale e shujta të ngohta që i ka premtuar në vitin 2021 Kurti dhe asnjë shujtë të ngrohtë asnj nxënësi nuk ia ka dhënë ”, ka përfunduar ajo.
