**Forumi Ekonomik i Grave: Ligji i Punës diskriminon gratë, sektori privat të lirohet nga pagesa e lehonisë**

Forumi Ekonomik i Grave në Kosovë (FEG) ka ngritur shqetësimin se Ligji i Punës, në fuqi prej vitit 2012, po diskriminon gratë në punësim. Si zgjidhje, FEG kërkon reformimin e këtij ligji dhe kalimin e barrës së pagesës së pushimit të lehonisë nga sektori privat te Qeveria.

Koordinatorja e Forumit, Saxhide Mustafa, në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi se modeli aktual i pagesës së lehonisë rëndon bizneset dhe pengon punësimin e avancimin e grave, sidomos në sektorin privat.

Ajo shtoi se gratë përballen me diskriminim që në procesin e punësimit, duke përfshirë pyetjet lidhur me planifikimin familjar gjatë intervistave. Më tej, pas kthimit nga pushimi i lehonisë, ato shpesh trajtohen si më pak të përkushtuara ndaj punës.

Mustafa theksoi se Ligji i Punës, në fuqi prej vitit 2012, ka qenë diskriminues, duke kontribuar në shkallën e ulët të punësimit të grave në Kosovë, një prej më të ulëtave në Evropë. Ajo argumentoi se, pavarësisht investimeve në edukimin e vajzave dhe grave, tregu i punës nuk ka ofruar politika inkurajuese për integrimin dhe ruajtjen e vendeve të punës për to.

Mustafa përmendi pyetjet diskriminuese që u bëhen grave të reja, sidomos atyre në moshë riprodhuese, gjatë intervistave të punës, lidhur me planet familjare. Ajo shtoi se, pas kthimit nga pushimi i lehonisë, gratë shpesh konsiderohen më pak të përqendruara në punë për shkak të angazhimit ndaj fëmijëve. Kjo ndikon në mosavancimin e tyre në pozita menaxheriale apo më të larta dhe shpeshherë në diskriminim pagash, ku gratë paguhen më pak për të njëjtën punë si burrat.

Sa i përket financimit të pushimit të lehonisë, Mustafa theksoi propozimin e Forumit Ekonomik të Grave që pagesa, aktualisht e mbuluar nga sektori privat, të transferohet te Qeveria. Ky transferim, sipas saj, do të siguronte një ndarje më të drejtë të barrës financiare.

“Pagesa e lejes së lehonisë ka rënduar sektorin privat. Ne kërkojmë që ky sektor të lirohet nga kjo barrë,” deklaroi Mustafa. Ajo shtoi se FEG ka propozuar një model ku kostoja aktuale, e mbuluar nga privati, do të kalonte te qeveria, duke analizuar edhe modalitetet e kostove. Mustafa vuri në dukje se, ndërsa Kosova aktualisht shpenzon më shumë për gratë që nuk punojnë (si masë për stimulimin e natalitetit), kjo rëndon taksapaguesit që punojnë. Ajo theksoi se një rritje e punësimit të grave do të ishte më fitimprurëse për arkën e shtetit. “Kërkojmë reformim; ky ligj duhet të ketë reforma, dhe barra e reformave nuk është vetëm e një institucioni apo e qeverisë, por duhet të jetë e përbashkët e sektorit privat dhe e punëmarrësve,” përfundoi ajo.

Mustafa vlerësoi se punësimi i grave ka mbetur në nivele të ulëta gjatë dekadës së fundit. Ajo kërkoi që masat qeveritare për nxitjen e punësimit të bazohen në evidencë dhe të analizohen me kujdes para zbatimit.

“Punësimi i grave ka qenë njëshifror gjatë dekadës së fundit,” tha Mustafa, duke shtuar se masat e fundit qeveritare, si subvencionimi i pagave ose “superpuna,” janë përballur me probleme dhe nuk kanë sjellë përfitimet e dëshiruara. Ajo theksoi nevojën për politika të bazuara në evidencë, pasi ato të paqëndrueshme nuk i shërbejnë vendit. “Si shoqëri, 26 vjet pas luftës, nuk kemi luksin të ndërmarrim politika të përshpejtuara e të paqëndrueshme. Na duhet një treg stabil për të mbajtur punëtorët brenda vendit,” u shpreh ajo.

Për fund, Mustafa kërkoi rritjen e pagave dhe krijimin e politikave që promovojnë ndarjen më të barabartë të përgjegjësive familjare mes burrave dhe grave, përfshirë avancimin e pushimit prindëror.

“Të rrisim pagat dhe të krijojmë politika me pushim prindëror të avancuar, pasi kërkesat e sotme reflektojnë një mentalitet më demokratik, ku përgjegjësitë familjare mes burrit dhe gruas duhet të jenë më të balancuara,” shpjegoi ajo. Ky model, sipas Mustafa, përkon me hulumtimet e kryera nga Forumi Ekonomik i Grave.