Mbyllet ALTA Banka, e lidhur me presidentin Vuçiç; nisin hetimet për dyshime mbi transferimin e 50 milionë eurove jashtë vendit, përfshirë Moskën.
Banka Kombëtare e Serbisë ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës dhe disa zyrtarëve të saj. ALTA Banka është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili thuhet se ka lidhje të ngushta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Më 27 tetor, Prokuroria kishte kërkuar mbledhjen e të dhënave për të gjitha transaksionet e kryera drejt vendeve të huaja. Dy ditë më vonë, më 29 tetor, kërkesa u zgjerua, duke përfshirë në mënyrë të veçantë konvertimin e valutave dhe nxjerrjen e fondeve nga llogaritë e bankës.
Më 30 tetor, Prokuroria i kërkoi Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK) të verifikonin aktivitetin e ALTA Bankës dhe të personave përgjegjës të saj.
Sipas medias serbe “Vreme”, avokati Ivan Niniq kishte shprehur më herët shqetësimin për një transferim të përshpejtuar kapitali jashtë Serbisë, konkretisht drejt llogarive dhe entiteteve juridike në Moskë dhe Shkup.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Srdan Milivojeviq, pretendoi se po përgatitej transferimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka drejt një institucioni financiar jashtë vendit.
Edhe opozita në Maqedoninë e Veriut kërkoi sqarime nga autoritetet vendase, duke shprehur dyshime se vendi mund të shërbente si pikë tranziti për transferimin e parave drejt Moskës.
Nga ana tjetër, Banka Kombëtare e Serbisë kishte deklaruar se pretendimet e pakonfirmuara për transferime të dyshimta mund të shkaktonin një shqetësim të pajustifikuar publik. Deri tani, pretendimet për destinacionin përfundimtar të 50 milionë eurove nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Pas revokimit të licencës së ALTA Bankës, procedurat e falimentimit do të menaxhohen nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, bazuar në një vendim gjykate.
Banka Kombëtare e Serbisë (Banka Qendrore) ka garantuar se depozitat e siguruara, deri në 50,000 euro për depozitues, do të mund të tërhiqen sipas procedurave të caktuara, ndërsa klientët do të informohen se në cilën bankë tjetër mund të tërheqin fondet e tyre.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse janë kryer transferime të paligjshme dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen financiare dhe veprimtarinë e ALTA Bankës.
