Elmi Reçica merr pjesë në përurimin e shtatores së Dëshmorit të Kombit Zejnullah Zejna në Sojevë

Elmi Reçica, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, mori pjesë në ceremoninë solemne të përurimit të shtatores së Dëshmorit të Kombit, Zejnullah Zejna, në Sojevë. Ky përurim u bë në shënimin e 27-vjetorit të rënies së tij heroike.

Me këtë rast, Reçica vlerësoi lart sakrificën e dëshmorëve të kombit, duke theksuar se liria dhe shteti i Kosovës janë ndërtuar mbi gjakun dhe përkushtimin e tyre.

“Sakrifica e dëshmorëve tanë mbetet themeli i lirisë dhe shtetit tonë. Duke nderuar veprën dhe idealin e Zejnullah Zejnës, kujtojmë se liria që gëzojmë sot është fryt i guximit, përkushtimit dhe flijimit të bijve më të mirë të kombit”, deklaroi Reçica.

Ai theksoi se kujtimi dhe nderimi për dëshmorët mbetet obligim i përhershëm institucional dhe qytetar, ndërsa vlerat për të cilat ata sakrifikuan duhet të ruhen dhe t’u përcillen brezave të rinj.

Në përfundim, Reçica shprehu respektin e tij për veprën e dëshmorit Zejnullah Zejna dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.

“Lavdi e përjetshme Dëshmorit të Kombit, Zejnullah Zejna, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, u shpreh ai.