Sulme intensive ajrore në Gaza, Netanyahu forcon kontrollin ushtarak
Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite që goditën qytetin e Gazës në orët e para të mëngjesit, sipas raportimeve të mbrojtjes civile palestineze.
Mahmoud Bassal, zëdhënës i mbrojtjes civile, theksoi se pesë prej viktimave u shkaktuan nga një sulm ndaj një apartamenti në veriperëndim të qytetit, ndërsa dy të tjerë humbën jetën nga një goditje në jugperëndim të Gazës. Një tjetër person u raportua i vdekur pas bombardimit të një shtëpie në kampin e refugjatëve Ash Shati, në perëndim të qytetit.
Këto sulme të fundit shënojnë një përkeqësim të situatës në Rripin e Gazës, e cila mbetet tejet e tensionuar, pavarësisht armëpushimit të shpallur më parë pas dy vitesh lufte intensive.
Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, bën me dije se më shumë se 900 palestinezë kanë humbur jetën që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, me incidente fatale thuajse të përditshme. Këto shifra konsiderohen të besueshme edhe nga Kombet e Bashkuara.
Faza e parë e armëpushimit mundësoi shkëmbimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi me të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite. Megjithatë, faza e dytë e marrëveshjes, e cila parashikonte çarmatosjen e Hamasit dhe tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza, nuk ka shënuar progres të dukshëm.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kishte urdhëruar ushtrinë të merrte kontrollin e 70% të territorit të Rripit të Gazës. Aktualisht, sipas vlerësimeve, forcat izraelite kontrollojnë rreth 60% të kësaj enklave palestineze.
Ndërkohë, në fund të majit, ushtria izraelite eleminoi në një sulm ajror Mohammed Odën, i cili sapo kishte marrë drejtimin e krahut ushtarak të Hamasit. Vrasja e tij, vetëm 11 ditë pas asaj të paraardhësit të tij, thelloi edhe më tej përplasjet mes palëve.
