Një 27-vjeçar dhe një foshnjë gjenden të pajetë në një shtëpi në Demiraj të Gjilanit

Një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në fshatin Demiraj të Gjilanit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hasani, konfirmoi se trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

Në njoftimin për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se njoftimi për dy trupat e pajetë, një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1999 dhe një foshnjë, është pranuar rreth orës 08:47 të dielën. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipet emergjente mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e dy personave.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat janë dërguar për obduksion në IML në Prishtinë, për të zbardhur shkaqet e vdekjes. Hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit.