Policia e Shtetit ka dhënë detaje zyrtare lidhur me një operacion policor në Maliq, ku një punonjës policie humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi pas një shkëmbimi zjarri me një person në kërkim, në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Në deklaratën zyrtare, Policia e Shtetit bëri me dije se, në kuadër të planit të masave për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Maliq dhe Korçë, kishin siguruar informacione për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim. Mbi bazën e këtyre të dhënave, u organizua operacioni për ndërhyrje në zonën ku dyshohej se fshihej.

Operacioni filloi rreth orës 07:30, kur forcat policore rrethuan një stan në zonën malore të Lozhanit. Atje dyshohej se fshihej i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç. Braçellari rezulton i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Po ashtu, në vitin 2011, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët e policisë i bënë thirrje autorit të dorëzohej. Por ai nuk iu bind urdhrave, duke hapur zjarr ndaj tyre. Si pasojë e këtij sulmi, humbi jetën në krye të detyrës inspektor E. M., 34 vjeç, ndërsa inspektor E. A., 36 vjeç, mbeti i plagosur. Të dy efektivët ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën me zjarr, duke neutralizuar autorin. Ky i fundit mbeti i plagosur dhe u arrestua në vendngjarje.

Menjëherë në vendngjarje u nis edhe një helikopter i shërbimit shëndetësor për transportimin e të plagosurve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë, ku një efektiv policie humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.