Një oficer policie ka humbur jetën në krye të detyrës dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, pas një shkëmbimi zjarri me një person të kërkuar me rrezikshmëri të lartë, i cili gjithashtu u neutralizua dhe u plagos gjatë operacionit për kapjen e tij. Autori i sulmit, i identifikuar si Violand Braçellari, u transportua me helikopter drejt spitalit të Korçës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq, gjatë një operacioni të përbashkët të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe Komisariatit të Policisë Korçë. Operacioni synonte kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari, një person i dënuar në vitin 2017 me thuajse 10 vjet burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe me masën “Arrest në burg” në vitin 2011 për “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Forcat e policisë kishin rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej i kërkuari. Pas thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, Braçellari ka refuzuar t’i bindet urdhrit dhe ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve. Si pasojë, humbi jetën Inspektori E.M., 34 vjeç, dhe u plagos Inspektori E.A., 36 vjeç. Të dy ishin pjesëtarë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.
Për të neutralizuar sulmin, shërbimet e Policisë iu kundërpërgjigjën me armë zjarri. Në shkëmbim zjarri, edhe Braçellari mbeti i plagosur rëndë dhe më pas u arrestua. Për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore, ai u transportua me helikopter drejt spitalit të Korçës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje tragjike, ku një efektiv humbi jetën në krye të detyrës dhe një tjetër mbeti i plagosur.
