Gjashtë persona janë arrestuar në Shkup nën dyshimin për veprën penale “tregti me fëmijë”. Njësia Kombëtare për Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Kontrabandës me Migrantë, pjesë e Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, ka ngritur kallëzim penal ndaj tyre.
Të arrestuarit janë F.A. (63), Gj.K. (57), I.Sh. (35), Xh.Sh. (35), të gjithë nga Shkupi, si dhe S.J. (35) nga Kumanova dhe I.A. (38) nga Tetova. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të “tregtisë me fëmijë”.
Hetimet tregojnë se gjatë viteve 2024 dhe 2025, F.A. në bashkëpunim me Gj.K. kanë realizuar birësime të paligjshme të foshnjave të sapolindura. F.A., duke shfrytëzuar pozicionin e saj si kujdestare fëmijësh, ka krijuar kontakte me çifte të interesuara për birësim.
Ndërkohë, Gj.K., bazuar në marrëveshjen paraprake me F.A. dhe me qëllim shmangien e procedurave ligjore të birësimit sipas Ligjit për Familjen, ka shfrytëzuar gratë shtatzëna dhe gjendjen e rëndë materiale e sociale të prindërve të foshnjave. Duke i mashtruar dhe bindur prindërit se nuk mund të kujdeseshin për fëmijët e tyre, ajo u ka ofruar shpërblime monetare dhe përfitime të tjera, në këmbim të birësimit të paligjshëm të foshnjave të tyre të sapolindura.
