Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar zotimin e tij të katërt qeverisës, i cili fokusohet në arsim. Gjatë një konference për media, Hamza theksoi se arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shtet, siç raporton Ekonomia Online.

Hamza u shpreh se një arsim cilësor, i cili aftëson individët për të ardhmen dhe krijon mundësi për të rinjtë, është përcaktues jo vetëm për të ardhmen individuale, por edhe për zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të vendit. “Një sistem arsimor cilësor aftëson qytetarët, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme,” tha ai, duke shtuar se qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta trajtojë arsimin si prioritet kombëtar.

Ai theksoi se aktualisht sistemi arsimor i Kosovës përballet me sfida serioze, duke përfshirë cilësinë e pabarabartë të mësimdhënies, mungesën e infrastrukturës moderne, mospërputhjen e programeve me nevojat e tregut të punës, si dhe mbështetjen e pamjaftueshme për mësimdhënësit dhe studentët.

Për të adresuar këto probleme, Hamza premtoi platforma bashkëkohore mësimore dhe fuqizimin e aftësive digjitale që në moshat e hershme. Ai shtoi se teknologjia nuk e zëvendëson mësuesin, por e fuqizon atë, duke e bërë procesin mësimor më efikas, interaktiv dhe më të përshtatur me kërkesat e kohës. “Reforma më e madhe është mësuesi i mirë i gjallë,” citohet të ketë thënë Hamza.

Një prioritet tjetër do të jetë modernizimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij e drejtpërdrejtë me nevojat e ekonomisë. Shkollat profesionale do të pajisen me infrastrukturë moderne, ndërsa bizneset do të përfshihen aktivisht në procesin e edukimit praktik të nxënësve.

Në fund, Hamza premtoi krijimin e një fondi bursash për studentët, me vlerë mbi 30 milionë euro.