Detaje të reja janë zbuluar rreth ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik mëngjesin e kësaj të enjteje në Maliq, ku u vra një punonjës policie dhe u plagos një tjetër. Autori i krimit, Violand Braçellari, i cili është dërguar me helikopter në spital, ka marrë katër plumba.

Punonjësi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në vendngjarje, kishte marrë tre plumba. Kolegu i tij i plagosur, Edison Adri, është qëlluar me një plumb në nofull dhe është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Ndërsa autori i ngjarjes, 43-vjeçari Violand Braçellari, ka marrë katër plumba. Ai u dërgua gjithashtu me helikopter në spitalin e Korçës dhe, sipas burimeve të A2 CNN, gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ish-ushtaraku Braçellari, i cili jetonte vetëm me nënën e tij, fshihej në një stan të vendosur në një zonë pyllore në Bodë të Lozhanit, Maliq. Dyshohet se ai mbante një arsenal armësh në stan dhe ishte gjithmonë i armatosur. Si ish-ushtarak, ai kishte përgatitje të lartë ushtarake në përdorimin e armëve, duke kryer stërvitje dhe qitje në pyll. Për të siguruar vendin dhe për të penguar afrimin e njerëzve, ai përdorte një numër të madh qenësh.

Për shkak të terrenit të vështirë ku fshihej, Braçellari u kishte shpëtuar disa herë Forcave RENEA. Për të arritur te stani i tij nevojiten rreth 40 minuta ecje në këmbë, dhe ai kishte krijuar vende të fshehta për t’u mbrojtur në terrenin e papërshtatshëm.

Braçellari ishte i njohur si një person i rrezikshëm për banorët e zonës dhe ishte në kërkim nga Policia e Vlorës për kultivim të lëndëve narkotike.