**Hiqet tabela e Zoran Gjimgjiqit në Mitrovicën e Veriut**
Tabela e rrugës me emrin e ish-kryeministrit serb Zoran Gjimgjiq, e cila u vendos dje në veri të Mitrovicës pranë tabelës së Isa Boletinit, është larguar këtë mëngjes nga vendi i saj në rrethrrotullimin në hyrje të qytetit.
Vendosja e kësaj dhe tabelave të tjera të reja të rrugëve u bë dje nga ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
Sot, sipas raportimeve të medias lokale në gjuhën serbe “Kossev”, tabela në fjalë nuk gjendet më në vendin ku ishte pozicionuar dje.
Ende nuk dihet se kush e ka larguar tabelën. Megjithatë, vendosja e saj kishte ngjallur reagime të ashpra në Kosovë, me shumë zëra që kundërshtonin ashpër një veprim të tillë.
Kanali televiziv Klan Kosova ka tentuar të marrë një koment nga ministrja Pacolli në lidhje me këtë ngjarje, por deri më tani ajo nuk ka kthyer përgjigje.
