**ALDE mbështet Bedri Hamzën: Kosovës i duhet një qeveri funksionale pas bllokadave**
Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE) ka shprehur mbështetjen e saj për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatin për Kryeministër, Bedri Hamza, në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Përmes një mesazhi publik, ALDE ka vlerësuar udhëheqjen e Bedri Hamzës dhe vizionin e tij për një Kosovë më të zhvilluar, më demokratike dhe më të integruar në familjen evropiane. Në mesazhin e saj, kjo aleancë liberale-demokratike evropiane ka theksuar besimin se Kosova ka nevojë për një udhëheqje që forcon institucionet demokratike, zhvillon ekonominë dhe e afron vendin me Bashkimin Evropian.
Mbështetja e ALDE-s përbën një tjetër konfirmim të besimit që partnerët evropianë kanë tek Partia Demokratike e Kosovës dhe programi qeverisës i Bedri Hamzës, i cili bazohet në zhvillim ekonomik, qeverisje të përgjegjshme, forcim të shtetit dhe rikthim të besimit te e ardhmja e vendit.
PDK është pjesë e familjes liberale-demokratike evropiane dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Më 7 qershor, Kosova ka mundësinë të zgjedhë ndryshimin, zhvillimin dhe një qeveri me Bedri Hamzën në krye, e cila do ta afrojë vendin më shumë me Evropën.
