Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka komentuar në emisionin Pressing vendimin e Bedri Hamzës për të dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë, duke e cilësuar atë si të ngutshëm.

Mustafa ka thënë se ka zhvilluar negociata me Hamzën për kthimin e tij në PDK dhe se e njeh mirë atë. Ai ka shprehur dëshirën që Hamza të vazhdonte të ishte kryetar deri në mbajtjen e Kuvendit të partisë.

“Kam bërë negociata me z. Hamza për kthimin tim, e njoh mirë, mu ka duk i ngutshëm. Kisha pas dëshirë që derisa të shkojmë në Kuvendin e partisë, Bedri Hamza të jetë kryetar”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka shtuar se Hamza ka kontribuar në ruajtjen e unitetit brenda PDK-së dhe se nuk do të kishte dashur që ai të jepte dorëheqje.

“Bedri Hamza na ka mbajtur të bashkuar, s’kisha dashtë ai me dhënë dorëheqje”, ka thënë Mustafa në Pressing.