Ministria e Mbrojtjes ka hapur një aktivitet të ri të prokurimit për ndërtimin e objektit administrativ të Sistemit Ajror Pa Pilot në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Gjakovë.
Sipas njoftimit për kontratë, vlera e parashikuar e këtij projekti është 1 milion e 645 mijë euro, shkruan IndeksOnline.
Qëllimi është krijimi i hapësirave administrative për të rritur operacionalitetin dhe efikasitetin në kryerjen e detyrave, në përputhje me misionin e FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Kontrata është e kategorisë së punëve ndërtimore dhe nuk është e ndarë në pjesë. Ministria synon të lidhë kontratë me një operator ekonomik që i plotëson kushtet teknike, profesionale dhe financiare të përcaktuara në dosjen e tenderit.
Afati i paraparë për fillimin e punimeve është 28 dhjetori i këtij viti, ndërsa përfundimi është planifikuar për 30 tetor 2028.
Një nga kriteret e përcaktuara është që kompania të ketë së paku 40 punëtorë, si dhe personel profesional të kualifikuar për realizimin e projektit. Kërkohet edhe një menaxher projekti, inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë në drejtimin konstruktiv, me së paku 10 vjet përvojë pune pas diplomimit.
Përveç kësaj, operatorët duhet të dëshmojnë se posedojnë ose kanë në dispozicion pajisjet e nevojshme për punime ndërtimore, përfshirë ekskavatorë, kamionë, vinç, automikserë dhe pajisje të tjera për realizimin e projektit.
Sipas njoftimit, kriter për dhënien e kontratës do të jetë çmimi më i ulët, ndërsa ofertat duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike përmes platformës së E-prokurimit.
Më poshtë detaje nga tenderi i shpallur.
