**Qeveria Kurti premton ndërtimin e pesë digave të reja për siguri ujore dhe zhvillim ekonomik**

Në mandatin e ri qeverisës, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se do të nisë ndërtimi i pesë digave të reja, me qëllim garantimin e sigurisë afatgjatë të furnizimit me ujë në Kosovë.

Këta rezervuarë do të shërbejnë për ujë të pijshëm, ujitje bujqësore dhe për nevojat industriale, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Rezervuarët e planifikuar për ndërtim janë:
* Rezervuari i Poshtëm i Firajës
* Rezervuari i Pollatës
* Rezervuari i Kuçicës
* Rezervuari i Dragaçinës
* Rezervuari i Desivojcës

Njëkohësisht, për katër rezervuarë të tjerë po përgatiten studimet fillestare.

Lëvizja Vetëvendosje e ka përfshirë ndërtimin e digave të reja në programin e saj qeverisës, si pjesë kyçe e strategjisë për siguri ujore, mbështetje për bujqësinë dhe zhvillim të qëndrueshëm.