Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar ashpër lidhur me gjendjen në Policinë e Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ramadani e ka lidhur këtë situatë me mungesën e theksuar të uniformave, kapelave dhe pajisjeve bazike për zyrtarët policorë, si dhe ka përmendur një sërë problemesh të tjera me të cilat përballen forcat e rendit.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Ramadani ka shkruar: “Ministri Sveçla duhet të japë dorëheqje, mjaft u dëmtua Policia! Nuk po sigurohen as kapele, as gomat e dimrit për automjetet e Policisë, as uniforma të mjaftueshme, as pajisje bazike për policët, dhe as pagat shtesë nuk i marrin pa paditur Ministrinë e Punëve të Brendshme në gjykata. Për sigurimin shëndetësor, transportin e organizuar dhe shujtat e organizuara – këto as që janë pjesë e agjendës.”

Deputeti Ramadani ka theksuar gjithashtu se Policia nuk ka pasur proces gradimi për pothuajse dhjetë vjet, dhe, sipas tij, nuk ka pasur as rritje të duhur buxhetore për veprimtarinë operative e as autonomi operacionale.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Ramadani ka deklaruar: “Kaq për gjendjen e Policisë nga keqqeverisja e Sveçlës. Ai nuk është kompetent në këtë fushë dhe ka dëmtuar autonominë operacionale ligjore të Policisë.”