Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka ritheksuar sot apelin e Anu Prattipatit, të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së, për një partneritet afatgjatë me Amerikën, me qëllim sigurimin e të ardhmes energjetike të Kosovës. Kjo thirrje, e shpërndarë përmes një opinioni të saj, inkurajon Kosovën t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan.

Në shkrimin e saj, Prattipati thekson se kërkesa për energji në Kosovë po rritet, ndërsa vendi po shpenzon shuma gjithnjë e më të mëdha për importin e energjisë elektrike. Ajo citon të dhëna të Doganës, sipas të cilave, Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro për importin e energjisë elektrike nga vendet fqinje gjatë katër viteve të fundit, me një rritje të theksuar të shpenzimeve vjetore. Nëse kjo trend vazhdon, Kosova rrezikon të bëhet gjithnjë e më e varur nga importet.

Prattipati argumenton se gazi natyror i lëngshëm (LNG) amerikan mund të ndihmojë në diversifikimin e burimeve energjetike, në rritjen e sigurisë energjetike dhe në forcimin e partneritetit ekonomik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Diplomatja amerikane thekson nevojën e veprimit të shpejtë nga ana e Kosovës për t’u përfshirë në projektet rajonale të infrastrukturës së gazit, duke paralajmëruar se vonesat mund të kufizojnë mundësitë për qasje në furnizimet amerikane të LNG-së.

“Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare, dhe diversifikimi i energjisë përmes gazit natyror është thelbësor për të arritur një të ardhme të sigurt,” theksohet në mesazhin e ripublikuar nga Ambasada amerikane. Centralet me gaz natyror, sipas saj, ofrojnë mundësinë për të menaxhuar më mirë rritjet e papritura të kërkesës dhe për të stabilizuar çmimet në periudhat e pikut. Zgjerimi i prodhimit vendas të energjisë elektrike do të forconte pavarësinë energjetike dhe do të mbronte konsumatorët nga tronditjet e çmimeve ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e SHBA-së citon edhe Joshua Volz, të Dërguarin Special të Departamentit Amerikan të Energjisë, i cili ka shpjeguar se “sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe përfaqëson një mundësi të madhe për industrinë dhe teknologjinë amerikane.” Ai ka shtuar se Departamenti i Energjisë është i gatshëm të lehtësojë bashkëpunimin midis industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë.

Prattipati shpjegon se ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme kërkon kohë, prandaj urgjenca e veprimit. Eksportet amerikane të LNG-së pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të kanalizohen përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Ajo shton se Kosova mund të lidhet gjithashtu me tubacionin e gazit natyror që po ndërtohet për të lidhur terminalin LNG në Aleksandropolis, Greqi me Shkupin, Maqedonia e Veriut.

Lidhja me një projekt tubacioni ekzistues do të shkurtonte kohën e realizimit dhe kostot. Qeveria e SHBA-së ofron edhe mekanizma financimi në dispozicion për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror. Kosova, sipas saj, mund të bashkëpunojë me partnerë rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe për të përfituar nga ekonomitë e shkallës me çmime më konkurruese.

“Dritarja për t’u bashkuar me këto projekte po mbyllet,” paralajmëron Prattipati. Vonesa në marrjen e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të LNG-së të dedikohen për vende të tjera, duke e lënë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në LNG amerikane.

Në fund, Prattipati thekson se Kosova përballet me një zgjedhje strategjike të rëndësishme. Ajo i bën thirrje Kosovës të bashkohet në një partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën, duke përdorur LNG-në, për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Ky partneritet, siç shprehet ajo, do të forcojë sigurinë energjetike dhe do të nxisë rritjen ekonomike.