Von der Leyen nga Tivati: Zgjerimi i BE-së duhet të shpejtohet, Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin shkëlqyeshëm drejt anëtarësimit
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, theksoi se zgjerimi do të jetë ndër temat kryesore të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet sot në Tivat.
Duke folur për gazetarët në Tivat, zonja Von der Leyen deklaroi se ndonëse procesi i zgjerimit mbështetet në meritë, kjo nuk duhet të përkthehet në një ritëm të ngadaltë. “Ne duhet ta bëjmë këtë proces më të shpejtë dhe më të besueshëm,” u shpreh ajo.
Ajo sqaroi se nëse një vend kandidat zbaton me sukses reformat e kërkuara, ai duhet të përparojë pa pengesa në hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Presidentja theksoi gjithashtu nevojën që procesi i zgjerimit të jetë më i dukshëm dhe i kuptueshëm. “Si vendet kandidate, ashtu edhe shtetet anëtare të BE-së, duhet t’u shpjegojnë qytetarëve përfitimet e zgjerimit,” tha ajo. Von der Leyen shtoi se zgjerimi përbën një komponent strategjik, duke sjellë më shumë siguri, prosperitet dhe një rol më të fuqishëm për Europën në arenën botërore. “Ekziston një vrull i ri, dhe ne duhet ta kthejmë këtë vrull në lëvizje konkrete dhe këtë lëvizje në anëtarësim të plotë,” përfundoi ajo.
Në këtë kontekst, Von der Leyen vlerësoi progresin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke theksuar se të dy vendet po përparojnë shkëlqyeshëm dhe po i afrohen fazave përfundimtare të procesit të anëtarësimit.
Ajo përsëriti se ky është një proces i bazuar plotësisht në meritë, dhe nëse Shqipëria e Mali i Zi përmbushin të gjitha kriteret e kërkuara, ato meritojnë plotësisht të përparojnë dhe në fund të bëhen anëtare të plota të Bashkimit Europian.
