Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me incidentin e ndodhur të premten në Mitrovicën e Veriut, ku dy persona janë shoqëruar në stacion policor pasi tentuan të ngjyrosnin obeliskun “E dua Mitrovicën”, pavarësisht urdhrave të zyrtarëve policorë për ta ndalur veprimin.

Sipas Policisë, sot është pranuar vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut për largimin e mbishkrimit “I Love Mitrovica”, ndërsa në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitet policore dhe inspektorët komunalë.

Policia njofton se autoritetet komunale janë informuar se zbatimi i vendimit duhet të shtyhet deri në pranimin e një vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Në vendin e ngjarjes ka ardhur kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut me rreth njëzet persona, ku në mesin e tyre ka qenë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas komunikatës, pas një deklarate për media, kryetari i komunës u është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalët: “Tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën.”

Policia bën të ditur se zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë duke sqaruar se një veprim i tillë nuk lejohej dhe kanë kërkuar ndalimin e çdo veprimi që do të rezultonte me dëmtimin ose ndryshimin e objektit publik.

“Derisa zyrtarët policorë kanë njoftuar se një gjë e tillë nuk lejohet të ndodhë, njëherit kanë kërkuar dhe tentuar të ndalojnë dëmtimin/ngjyrosjen e objektit publik”, thuhet më tej në njoftim.

Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, urdhri i dhënë nuk është respektuar.

“Edhe përkundër kërkesës dhe urdhrit që të ndalohet dëmtimi/ngjyrosja e objektit publik, të njëjtit kanë filluar ta ngjyrosin atë, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë”, njofton Policia.

Si rezultat i ndërhyrjes, dy persona janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë kundërvajtëse.

“Sipas procedurave të parapara, të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm. Me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar për të vazhduar me procedurat e mëtejme”, thuhet në fund të komunikatës së Policisë së Kosovës.