Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa ka thënë se partia që fitoi zgjedhjet më 9 shkurt, pa asnjë arsye, na ka dërguar prapë në zgjedhje.

Qëllimi i tij, sipas Mustafës, ka qenë kapja dhe kontrolli i të gjitha institucioneve, nga Presidenca, gjykatat, prokuroria e deri te hetuesia.

Mustafa i PDK-së ka thënë po ashtu se Kurti po e bën këtë nga frika e përballjes me ligjin për shkak të aferave tashmë të njohura korruptive.

“Albin Kurti po e dëshiron edhe presidentin, jo për hir të pushtetit të presidentit, por si mekanizëm me kalu te disa pushtete të tjera të cilat nuk ka të drejtë t’i marrë. Albin Kurti po dëshiron me u siguru që në këtë vend mos me pas hetues e prokurorë që guxojnë ta ndjekin atë dhe zyrtarët e tij për aferat korruptive që po i dalin në shesh çdo ditë dhe ky është halli i Albin Kurtit sot. Ai nuk e ka hallin as te çmimet e larta, as te pagat, as te pensionet, as te faktet që në shëndetësi nuk ka asnjë përparim. Ai hallin e vetëm e ka qysh t’i kapë të gjitha pushtetet në Kosovë dhe pastaj ta sundojë këtë vend. Qytetari i Kosovës nuk ka nevojë që ta sundojë dikush, por ka nevojë për një qeveri që çdo ditë merret me problemet, që krijon kushte më të mira me jetu në këtë vend dhe që i mban të rinjtë e këtij vendi në Kosovë”, ka thënë Mustafa në T7.

Ndryshe, Mustafa ka thënë se pothuajse dy vjet vendi është i bllokuar në të gjitha aspektet, pa pasur asnjë zhvillim të vetëm.