Jürgen Klopp nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Real Madridit. Agjenti i trajnerit gjerman ka mohuar kategorikisht zërat që e lidhin ish-strategun e Liverpoolit me klubin madrilen, duke i quajtur spekulimet pa bazë.
Zërat nisën ditët e fundit, pasi kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, deklaroi se, nëse do të fitonte zgjedhjet, do të kontaktonte me Raúl González dhe Jürgen Klopp për projektin e tij sportiv, duke e konsideruar gjermanin si një nga emrat kryesorë për drejtimin e skuadrës.
Megjithatë, agjenti i Kloppit, Marc Kosicke, ka hedhur poshtë çdo mundësi për një rikthim të afërt të tij në pankinë.
“Është acaruese. Ai nuk po planifikon të rikthehet në drejtimin e ndonjë klubi dhe është i lumtur te Red Bull”, – deklaroi Kosicke për “Sky Sport Germany”.
Pas largimit nga Liverpool FC në fund të sezonit 2023/24, Klopp zgjodhi të shkëputej nga puna e përditshme si trajner dhe aktualisht mban një rol drejtues në strukturat sportive të Red Bull.
Kjo deklaratë duket se mbyll derën për çdo spekulim që e lidh 58-vjeçarin me stolin e Real Madridit, pavarësisht interesimit të shfaqur nga Enrique Riquelme gjatë fushatës së tij zgjedhore.
Për momentin, mesazhi nga kampi i Kloppit është i qartë: trajneri gjerman nuk ka ndërmend të rikthehet në futbollin e klubeve dhe mbetet i përkushtuar ndaj rolit të tij aktual te Red Bull.
