Sveçla: Raportet konstatojnë shkelje serioze në rastin e Arlinda Zekajt
**Prishtinë** – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se raportet e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës kanë konstatuar shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Në një konferencë për media, Sveçla theksoi se gjatë 72 orëve të fundit janë sqaruar shqetësimet rreth mënyrës se si institucionet e kanë menaxhuar këtë çështje.
Deri më tani, 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, janë suspenduar.
Duke iu referuar rastit, Sveçla deklaroi se “përgjegjësia nuk mund të shmanget”, duke nënvizuar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet shtetërore.
Ai siguroi se çdo veprim apo mosveprim i zyrtarëve përgjegjës do të hetohet me seriozitet të plotë dhe se rasti do të trajtohet me prioritet maksimal.
Ministri Sveçla shtoi se, me urdhër të kryeministrit Albin Kurti, është përpiluar një raport i posaçëm për këtë çështje. Aktualisht, theksoi ai, janë 155 raste aktive të kategorizuara me rrezikshmëri të lartë në Kosovë.
