Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kritikuar ashpër ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me mënyrën e trajtimit të raportit mbi vrasjen e Arlinda Zekajt në konferencën e mbajtur sot në Qeveri. Miftari deklaroi se dy ministrat po derdhin “lot krokodili” dhe se në raste të tilla dorëheqja është zgjidhja e vetme.
Në një postim në Facebook, Miftari theksoi se ministrja Gërvalla dhe ministri Sveçla “mund të derdhin lot krokodili, të aktojnë para dy milionë qytetarëve të Kosovës, t’i akuzojnë dhe mallkojnë të tjerët për të mbuluar dështimet e veta dhe të përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë institucionale.”
Ai shtoi se ata “mund të keqpërdorin objektin e qeverisë dhe në konferenca për media të sillen sikur të kishin harruar se shteti dhe institucionet, që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve, drejtohen pikërisht prej tyre.” Sipas Miftarit, ministrat “mund të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë, përveç vetes, dhe të përdorin çdo arsyetim politik për të shmangur llogaridhënien dhe ndjenjën e fajit për jetën e humbur të Arlindës.”
Miftari shtoi se përgjegjësia institucionale dhe morale është e pashmangshme, duke theksuar se pushteti nuk është vetëm privilegj, por nënkupton edhe përgjegjësi për dështimet e institucioneve të drejtuara nga zyrtarët në krye të shtetit.
Ai paralajmëroi se ministrat nuk mund t’u shmangen “përgjegjësisë institucionale, përgjegjësisë morale, mungesës së ndjeshmërisë dhe turpit që do t’i përcjellë sa herë të kujtohen jetët e grave që humbin jetën për shkak të dështimeve të institucioneve të shtetit që ata drejtojnë.” Miftari vuri në dukje se në krye të shtetit, zyrtarët nuk mund të sillen njëkohësisht si pushtet dhe si opozitë ndaj dështimeve të institucioneve që drejtojnë. Ai kërkoi që, “të paktën para dhimbjes së familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, të tregohet pak dinjitet, ndjeshmëri dhe përgjegjësi”, duke përfunduar se “dorëheqja në këto raste nuk ka alternativë.”
