Bilal Kara, pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, dhe Geriana Arapi, ish-drejtuese spitali, janë arrestuar në Maqedoninë e Veriut. Të dy ishin në kërkim nga autoritetet shqiptare prej më shumë se një viti, Arapi pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë.

Mediat maqedonase raportuan arrestimet më 29 tetor, duke theksuar se ato janë pjesë e një operacioni të gjerë të autoriteteve kundër abuzimeve me ndërhyrjet kirurgjikale në sy dhe dyshimeve për përfshirje të zyrtarëve të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Bilal Kara është dërguar tashmë përpara gjykatësit të procedurës paraprake.

Operacioni policor në Maqedoninë e Veriut ka rezultuar me ndalimin e tetë personave, ndërsa 11 individë dhe një institucion privat shëndetësor dyshohen se janë përfshirë në shkelje që lidhen me faturimin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Autoritetet bëjnë me dije se në rastet nën hetim, pagesat për ndërhyrjet kryheshin si nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, ashtu edhe nga vetë pacientët. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan rreth 50 mijë euro dhe telefona celularë.