Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media kanë thënë se nuk e mendojnë dorëheqjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.

Gjatë prezantimit të raportit, Gërvalla tha se “po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje”.

“Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Qytetarët e Republikës së Kosovës e dinë që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare”, tha Gërvalla.

Përkundër kërkesave të protestuesve, as ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se nuk e ka ndërmend ta lërë postin e ministrit.

 “Para 10 vitesh kam dhënë dorëheqje nga pozita… pa pasur kurrfarë përgjegjësie për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë. Tash unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas”, theksoi Sveçla.

Ndërkaq një varg të gjatë shkeljesh kanë thënë se kanë evidentuar nga dy raportet e hartuara nga dikasteret qeveritare që i udhëheqin ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla e ajo e Drejtësisë Donika Gërvalla, në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. 

Sipas tyre mosveprime institucionale që do të mund të parandalonin vrasjen e Zekajt janë evidentuar në Gjykatën e Prokurorinë Themelore në Pejë, në Policinë e Kosovës, në Qendrën për Punë Sociale e në Komunën e Pejës. 

Por, teksa konferenca e Gërvallës dhe Sveçlës mbahej në Qeveri, para dyerve të Qeverisë po protestohej duke e kërkuar dorëheqjen e tyre. Madje, tentuan të futen edhe në objektin e Qeverisë, por u ndaluan nga policia.

Organizatorja e protestës, Anita Nikaj, potencoi se nuk do të ndalen derisa dy ministrat e lartcekur të dorëhiqen.

“Sveçla e Gërvalla janë për pushtet, nuk ua ndien kush vritet. E kanë bërë një raport, e kanë bërë sa për sy e faqe, për ta shpëlarë veten, ama ne nuk zmbrapsemi deri këta të japin dorëheqje e personat përgjegjës të përfundojnë në burg”, u shpreh ajo para gazetarëve.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Ndërkohë, ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.

Vetëm tri ditë para se të vritej, Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës, duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.