Ministrat Gërvalla dhe Sveçla Refuzojnë Dorëheqjen, Pavarësisht Kërkesave të Protestuesve
Vrasja makabre e Arlinda Zekajt nga kunati i saj ka tronditur thellë Kosovën, duke ngjallur shqetësime të mëdha për dhunën ndaj grave, dhunën në familje, mosreagimin e policisë dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Si pasojë, qytetarët protestuan, duke kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga hierarkia komanduese në polici, prokurori dhe gjykata në Pejë, si dhe dorëheqje apo shkarkime nga Qeveria. Vëmendja u fokusua tek Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla (në detyrë nga pranvera e këtij viti), dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla (në detyrë prej vitit 2021).
Megjithatë, ministrat Gërvalla dhe Sveçla nuk pajtohen me kërkesat e protestuesve, duke mohuar përgjegjësinë e qeverisë.
I pyetur nëse Qeveria ka dështuar në këtë rast, ministri Sveçla e mohoi këtë, duke akuzuar gazetarët se kishin “iluzione”. “Cila Qeveri? A po më tregon cila është përgjegjësia e Qeverisë? Nëse prisni që i gjithë sistemi nuk do të ketë vështirësi në qeverisje, atëherë keni iluzione, më vjen keq,” deklaroi Sveçla.
Nga ana e saj, ministrja Gërvalla, duke refuzuar dorëheqjen, u kërkoi gazetarëve t’i lënë të bëjnë punën e tyre. Ajo theksoi se dorëheqja do të ishte një hap i gabuar. “Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj se është pikërisht e kundërta. Qytetari i Republikës së Kosovës e di që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare, na lejoni të bëjmë punën tonë, na lejoni që të kujdesemi që të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve,” tha ajo.
Gërvalla mohoi gjithashtu se protestuesit janë kundër saj dhe Sveçlës, duke sugjeruar se vetëm “individë të veçantë” po përpiqen të politizojnë rastin. “Ju thatë një gjë shumë të pavërtetë. Ju thatë që protestuesit janë kundër nesh. Jo zotëri, protestuesit janë me Arlindën. Nuk janë kundër nesh. Përveç individëve veç e veç që edhe ky rast tragjik të politizohet skajshëm. Mirëpo, s’janë kundër nesh. Ata kërkojnë përgjegjësi nga ne. Të folurit në emër të njerëzve jashtë nuk i kontribuon kësaj,” shtoi ajo.
Edhe ministri Sveçla refuzoi dorëheqjen e tij dhe të Gërvallës, duke theksuar se një veprim i tillë “nuk do të kontribuonte në fuqizimin e grave”. “Para 10 vitesh kam dhënë dorëheqje nga pozita… pa pasur asnjë përgjegjësi për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë. Tash, unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e grave, në të drejtat e saj, pasi ne jemi të angazhuar njëqind për qind në atë pikë,” deklaroi ai.
Ndryshe nga ministrat, mendon Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Ai theksoi se, pavarësisht deklaratave të tyre, ministrat Sveçla dhe Gërvalla nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë institucionale dhe morale. Miftaraj u kërkoi ministrave që, “të paktën para dhimbjes së familjeve”, të tregojnë dinjitet, empati dhe përgjegjësi, duke shtuar se “dorëheqja në këto raste nuk ka alternativë”.
“Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Xhelal Sveçla mund të derdhin lot krokodili, të aktrojnë para dy milionë qytetarëve të Kosovës, t’i akuzojnë dhe mallkojnë të tjerët për të mbuluar dështimet e veta dhe të përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë institucionale. Mund të keqpërdorin objektin e qeverisë dhe në konferenca për media të sillen sikur kanë harruar se shteti dhe institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve drejtohen pikërisht prej tyre. Mund të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë, përveç vetes. Mund të përdorin çdo arsyetim politik për të shmangur llogaridhënien dhe ndjenjën e fajit për jetën e humbur të Arlindës. Por ka diçka nga e cila nuk mund të ikin: nga përgjegjësia institucionale, përgjegjësia morale, nga mungesa e empatisë dhe nga turpi që do t’i përcjellë sa herë të kujtohen jetët e grave të vrara nga shteti që ata udhëheqin. Sepse pushteti nuk është vetëm privilegj. Është përgjegjësi. Dhe kur je në krye të shtetit, nuk mund të sillesh njëkohësisht si pushtet dhe si opozitë ndaj dështimeve të institucioneve që drejton. Të paktën para dhimbjes së familjeve që kanë humbur më të dashurat e tyre, tregoni pak dinjitet, empati dhe përgjegjësi, pasi dorëheqja në këto raste nuk ka alternativë,” shkroi Miftaraj.
Ndërkaq, lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, dje u njoftua se janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Megjithatë, protestuesit dhe shumë zëra të tjerë vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e ministrave Sveçla dhe Gërvalla.
