Gjykata Supreme vendos: Policia nuk mund ta mbajë patentë shoferin më shumë se 8 ditë

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar një pjesë të një Udhëzimi Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke vendosur se policia nuk ka të drejtë të mbajë patentë shoferin e një drejtuesi mjeti për më shumë se tetë ditë. Ky vendim e bën të paligjshëm kushtëzimin e kthimit të patentës me përfundimin e masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit.

Vendimi i Gjykatës Supreme prek konkretisht paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes. Ky paragraf përcaktonte se patentë shoferi mund të tërhiqej nga pala vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit, e cila mund të zgjasë nga tre deri në dymbëdhjetë muaj.

Rasti u shqyrtua nga Kolegji i Gjykatës Supreme në kuadër të një konflikti administrativ, pas një padie të paraqitur nga 28 persona kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Gjykata e ka pranuar pjesërisht kërkesën për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ.

Gjykata ka sqaruar se marrja e përkohshme e patentë shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit janë dy institute juridike të ndryshme dhe nuk duhet të ngatërrohen. Sipas nenit 244 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, mbajtja e përkohshme e patentës nga ana e policisë nuk mund të zgjasë më shumë se tetë (8) ditë.

Kushtëzimi i kthimit të dokumentit me përfundimin e një mase mbrojtëse afatgjatë është në kundërshtim me ligjin, pasi një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat ligjore apo të vendosë kufizime shtesë pa bazë ligjore.

Nga ana tjetër, Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të po këtij Udhëzimi Administrativ. Ajo vlerësoi se këto dispozita kanë karakter procedural dhe organizativ, duke përcaktuar njësinë policore përgjegjëse dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të patentës, pa tejkaluar kështu autorizimet e përcaktuara me ligj.