**Izraeli sulmon ushtrinë libaneze në jug: Vriten një gjeneral, një kapiten dhe një ushtar**
Një gjeneral brigade, një kapiten dhe një ushtar i ushtrisë libaneze janë vrarë mëngjesin e sotëm në jug të Libanit, pas një sulmi izraelit ndaj automjetit të tyre. Forcat izraelite (IDF) deklaruan se automjeti po lëvizte në një zonë me luftime aktive.
Lajmi u konfirmua nga Forcat e Armatosura të Libanit (LAF), të cilat theksuan se viktimat janë gjenerali i brigadës, një kapiten dhe një ushtar tjetër.
Sipas një deklarate të IDF, automjeti ishte identifikuar si “duke lëvizur në mënyrë të dyshimtë” drejt trupave izraelite pranë fshatit Kfar Tebnit, raporton Sky News.
Ushtria izraelite shtoi se automjeti ndodhej në një zonë luftarake aktive dhe të evakuuar. Trupat izraelite në rajon ishin në gatishmëri të lartë për shkak të kërcënimeve nga Hezbollahu, një grup që, sipas informacioneve të inteligjencës izraelite, operon gjerësisht në atë zonë.
IDF theksoi se kjo është një zonë lufte ku çdo lëvizje duhet të koordinohet me forcat izraelite. “Pas identifikimit dhe për shkak të paralajmërimeve dhe rrezikut që paraqiste për trupat tona, automjeti u godit,” thuhej në deklaratë.
IDF konfirmoi praninë e dy oficerëve dhe një ushtari të LAF në automjet, duke shtuar se incidenti është nën hetim. “IDF po heton ngjarjen dhe do të nxjerrë mësimet e duhura bazuar në rezultatet e hetimit,” u shpreh ushtria izraelite.
Ushtria izraelite përsëriti se veprimet e saj janë drejtuar kundër organizatës terroriste Hezbollah dhe jo kundër ushtrisë libaneze.
